Zjarret në Dibër/ Situatë alarmante në Lurë, flakët afrohen 50 metra pranë banesave
Situata e zjarreve në qarkun Dibër vijon të jetë problematike, me dy vatra aktive. Më shqetësuese paraqitet situata në Parkun Kombëtar të Lurës, ku zjarri në zonën e Maja e Ruveshit, mbi fshatin Borie Lurë, është përhapur gjatë natës, i favorizuar nga era e fortë. Flakët janë shtrirë në tre drejtime, ndërsa janë afruar deri në rreth 50 metra pranë disa banesave në Borie Lurë.
Në terren janë angazhuar dhjetëra forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, ADZM-së, emergjencave civile, bashkisë, Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, si dhe vullnetarë. Autoritetet po përqendrohen në frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e banorëve, ndërsa temperaturat e larta dhe era e fortë e vështirësojnë ndërhyrjen.
Një tjetër vatër është aktive në Qafën e Helmes, në Njësinë Administrative Fushë Bulqizë, pranë territorit të Selishtës. Zjarri atje paraqitet me zhvillime të pakta dhe ndodhet larg zonave të banuara, ndërsa 10 efektivë zjarrfikës po monitorojnë situatën. Vëmendja kryesore e strukturave mbetet te Lura, ku zjarri vijon të jetë aktiv.
The post Zjarret në Dibër/ Situatë alarmante në Lurë, flakët afrohen 50 metra pranë banesave appeared first on X-Media.
13.8.2026. 04:52:31