PE miraton amendamentin për shqipen në provimet shtetërore, thirrje urgjente për Shkupin të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit
Parlamenti Europian ka miratuar një amendament që kërkon zgjidhjen e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe provimin e Jurisprudencës.
Në amendamentin e miratuar, eurodeputetët u bëjnë thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të adresojnë sa më shpejt këtë çështje, në mënyrë që të sigurohet zbatimi praktik i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në frymën e saj.
Po ashtu, Parlamenti Europian kërkon që protestat e studentëve shqiptarë të mos paraqiten si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues.
“I bëjmë thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasaktë protestat e studentëve si të motivuara politikisht apo si një faktor destabilizues”, thuhet në amendamentin e miratuar.
Ky zhvillim vjen pas takimit që disa përfaqësues të studentëve protestues në Shkup zhvilluan ditë më parë me përfaqësues të Parlamentit Europian, ku shprehën pakënaqësinë e tyre për mosrespektimin e gjuhës shqipe dhe moslejimin e mbajtjes së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Studentët kanë kërkuar trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave gjuhësore të garantuara me legjislacionin në fuqi dhe me Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa mbështetja e Parlamentit Europian shihet si një sinjal i rëndësishëm për adresimin e kërkesave të tyre.
The GeoPost
The post PE miraton amendamentin për shqipen në provimet shtetërore, thirrje urgjente për Shkupin të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit appeared first on The Geopost.
6/17/2026 3:02:37 PM