Shpallet fituesi i tenderit 5.2 mln euro për parkimin nëntokësor në Vlorë
Kompania Valona Konstruksion është shpallur fituese e tenderit me objekt “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3 & 4: Ndërtim i godinës së parkimit nëntokësor, Vlorë”, sipas dokumenteve të procedurës së prokurimit.
Oferta fituese është paraqitur në vlerën 512.5 milionë lekë apo rreth 5.2 milionë euro teksa fondi limit i procedurës ishte 595 milionë lekë pra 13.9% më e ulët se fondi limit i parashikuar nga autoriteti kontraktor që në këtë rast është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Projekti do të realizohet në pjesën perëndimore të qytetit të Vlorë dhe parashikon ndërtimin e një godine parkimi me dy kate nëntokë, të shoqëruar nga një park shplodhës në sipërfaqe.
Sipas dokumentacionit teknik, objekti është projektuar mbi një parcelë me sipërfaqe totale 9,557.76 metra katrorë. Një nga nivelet e parkimit, kati -1, do të ketë një sipërfaqe prej 9,235.98 metrash katrorë.
Dokumentet specifikojnë se zgjidhja funksionale synon optimizimin maksimal të hapësirës për vendparkime. Kati -1 do të përdoret për poste parkimi dhe ambiente teknike, përfshirë depot e ujit, ndërsa ambientet ndihmëse, si tualetet, do të pozicionohen në kuotën e katit 0.
Kapaciteti i parashikuar i parkimit arrin në 295 poste parkimi. Nga këto, pesë vende janë rezervuar për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa gjashtë vende janë parashikuar për automjete elektrike.
Dokumentacioni teknik përcakton gjithashtu mënyrën e trajtimit të sipërfaqes mbi strukturën e parkimit. Sheshi do të realizohet me të njëjtën rifiniturë si shtrimi ekzistues, me beton të prerë me sharrë çdo tre metra dhe me pllaka graniti 100×100 centimetra të integruara në të.
Tenderi është pjesë e projektit për ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit në Rajonin 3 dhe Rajonin 4.
The post Shpallet fituesi i tenderit 5.2 mln euro për parkimin nëntokësor në Vlorë appeared first on X-Media.
6/15/2026 5:54:20 AM