Tragjedi në Belgjikë/ Treni përplas autobusin e shkollës, 4 viktima mes tyre dy fëmijë
Katër persona, mes tyre dy fëmijë, humbën jetën të martën pas një aksidenti tragjik mes një treni pasagjerësh dhe një autobusi shkolle në veri të Belgjikës. Lajmi u konfirmua nga zëvendëskryeministri belg, Maxime Prevot.
“Një përplasje tragjike mes një treni dhe një autobusi shkolle ndodhi këtë mëngjes në Bugenhout. Katër persona kanë humbur jetën, përfshirë dy fëmijë”, shkroi Prevot në rrjetin social X.
Edhe kryeministri belg, Bart De Wever, reagoi pas ngjarjes, duke deklaruar se ishte “thellësisht i prekur nga aksidenti i tmerrshëm” dhe duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave.
Pamjet nga vendi i ngjarjes në rajonin e Flandrës tregojnë autobusin e përmbysur dhe të dëmtuar rëndë pranë vijës hekurudhore, ndërsa treni mbeti i ndalur mbi shina pas përplasjes.
Sipas zëdhënëses së policisë, An Berger, në autobus ndodheshin shtatë fëmijë, një mbikëqyrës dhe shoferi. Ajo bëri të ditur se asnjë nga pasagjerët e trenit nuk mbeti i lënduar.
Zëdhënësi i agjencisë hekurudhore belge Infrabel, Frederic Sacre, deklaroi për AFP se përplasja ishte “jashtëzakonisht e dhunshme”. Sipas tij, treni po lëvizte me rreth 120 kilometra në orë në momentin e aksidentit dhe autobusi u hodh rreth 15 metra larg, duke u përplasur me një shtyllë metalike.
Ai shtoi se pamjet nga vendngjarja tregojnë se barrierat e kalimit hekurudhor ishin të ulura dhe semafori i kuq ishte aktiv në momentin e përplasjes, çka pritet të jetë pjesë e hetimeve mbi shkaqet e aksidentit.
Mediat belge raportojnë se fëmijët udhëtonin drejt një shkolle për nxënës me vështirësi në të nxënë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta edhe në arenën ndërkombëtare. Ministri i Brendshëm belg, Bernard Quintin, e cilësoi aksidentin si tragjik, ndërsa presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ishte “me zemër të thyer” nga lajmi.
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjet e viktimave dhe të dashurit e tyre. Sot, Evropa vajton me Belgjikën”, shkroi ajo në reagimin e saj publik.
The post Tragjedi në Belgjikë/ Treni përplas autobusin e shkollës, 4 viktima mes tyre dy fëmijë appeared first on X-Media.
5/26/2026 5:34:55 AM