Alarm në Kiev, Rusia paralajmëron valë të re sulmesh
Rusia ka paralajmëruar një valë të re sulmesh sistematike ndaj Kievit, vetëm pak ditë pasi ndërmori një nga bombardimet më të mëdha kundër kryeqytetit ukrainas që nga nisja e luftës.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, objektiv i sulmeve do të jenë qendrat e vendimmarrjes, postet komanduese dhe uzinat e prodhimit të dronëve në Kiev. Moska gjithashtu u ka bërë thirrje diplomatëve dhe shtetasve të huaj që të largohen sa më parë nga qyteti, ndërsa ka paralajmëruar qytetarët të shmangin ndërtesat administrative dhe ushtarake.
Nga ana tjetër, Ukraina i cilësoi deklaratat ruse si “shantazh të hapur” dhe kërkoi nga aleatët perëndimorë të shtojnë presionin ndaj Moskës. Në reagimin e saj, Kievi tha se paralajmërimi për diplomatët tregon se Rusia synon të përhapë frikë edhe tek përfaqësitë e huaja diplomatike.
Autoritetet ukrainase theksuan se sulmet ndaj Kievit kanë qenë të vazhdueshme pothuajse çdo javë që nga fillimi i luftës dhe se kërcënimi nga Rusia mbetet i pandryshuar. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se sulmet masive ruse të së shtunës lanë të vrarë katër persona dhe plagosën rreth 100 të tjerë në Kiev dhe rajone të tjera.
Moska pretendon se këto sulme janë kundërpërgjigje ndaj një sulmi ukrainas mbi një konvikt studentor në qytetin Starobilsk, ku sipas zyrtarëve rusë humbën jetën 21 persona.
Që prej përfundimit të armëpushimit të shkurtër të lidhur me paradën e Ditës së Fitores në Moskë, Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj Kievit. Në sulmet e fundit janë përdorur dhjetëra raketa balistike, raketa lundrimi dhe qindra dronë, ndërsa është lëshuar edhe një raketë hipersonike “Oreshnik”, me kapacitet bërthamor, drejt zonës së Bila Tserkva, rreth 90 kilometra në jug të Kievit.
The post Alarm në Kiev, Rusia paralajmëron valë të re sulmesh appeared first on X-Media.
5/26/2026 1:04:10 AM